Aviation, FLOSS, Kosova

Urbanizmi është vlera më e lartë e civilizimit.

Kaosi urban i krijuar nga “tregu i lirë” ka krijuar një situatë që dukshëm e ka rënduar estetikën dhe cilësinë e jetës në qytetet tona.

Përveç që ka cenuar integritetin e monumenteve, ka rënduar komunikacionin dhe ka ulur cilësinë e jetës në mungesë të hapësirave të gjelbra, nga ana estetike e ka bërë këtë gjendje të padurueshme. Fatkeqësia është që ky dëm është 100-vjeçar dhe vështirë do të riparohet.

Përderisa në dekadat e fundit të komunizmit Kosova kishte urbanizëm ambicioz, siç tregohet me lagjet e Prishtinës dhe me lagjet e reja të Gjakovës, sot tregu i lirë dhe ligji i të fortit i kanë përmbysur vlerat urbane. Në vend të Ulpianës sot kemi katrahurën e Rrugës B dhe të Prishtinës së Re. Kulmi duhet të jetë në Fushë Kosovë.

Në Kosovë dhe në Shqipëri metrat katrorë shkatërrojnë çdo gjë përpara. 

Në Tiranë kjo mbështillet me një fasade estetike, por rezultati është i njëjtë. Në qytetin historik të Krujës, soliteri është ndërtuar pranë pazarit historik, e Shëngjini bregdetar është kapluar nga objektet që nuk e shohin dritën e diellit. 

Në Prishtinë objekti i “30-katëshit”, në Lakrishtën e ndërtuar me soliterë, parasheh 5.000 vende parkimi. Rrugët në atë lagje veçse janë të bllokuara në orën 16:00 edhe para se të përfundohet ky objekt. 

Lagjja e Muhaxherëve në Prishtinë është shndërruar në një kaos vendosjesh soliterësh dhe stilesh fasadash që edhe një qytetar laik mund ta konstatojë se janë gabim. Gjakova, ndër komunat me më pak zhvillim në Kosovë, është e dyta në Kosovë për m² ndërtimesh të lejuara. Në vend të urbanizmit të lagjeve të reja, kemi shtim të dendësisë ashtu siç blihen parcelat, duke krijuar një miks banesash dhe shtëpish.

Qeveria nuk ka interes ta ndalë këtë rrëmujë, sepse e ndal qarkullimin në një nga fushat kyçe për BPV, edhe pse dukshëm jo produktive. Pronarët e tokave janë vendimtarë, përderisa banorët e tanishëm (e të ardhshëm) të këtyre lagjeve dhe qyteteve nuk bëjnë zë. Momenti i zgjimit në lagjet e pabanueshme do të jetë vonë.

Planifikuesit urbanë dhe arkitektët nuk dëgjohen. Shoqëria civile nuk ka treguar ndonjë interesim për këtë temë – kjo nuk është njëra nga kriteret e integrimit evropian, sepse prej vendeve kandidate për BE, vetëm Kosova e Shqipëria në mënyrë unike qëndrojnë kaq keq këtu.

Ka zgjidhje: p.sh. taksa më të larta për banesat jo-primare, urbanizimi i tokave të pa-ndërtuara, vendosja e kufizimeve në lartësi të qëndrueshme. 

Shumë vite më parë pata dhënë një kritikë dhe përjetuar shumë rënd librin “Prishtina është kudo – Turbo-urbanizmi pas krizës“. Libri trajton kaosin urbanistik të pasluftës kryesisht i kufizuar në Prishtinë. Sot kemi një epokë të dytë të urbicidit, kësaj here në masë të madhe të ligjshme dhe gjithandej trojeve shqiptare.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Design a site like this with WordPress.com
Get started