Aviation, FLOSS, Kosova

Në diskutim me një shofer taksie në Prishtinë, u ankua se janë në kërkim të shoferëve, por nuk gjejnë punëtorë. Kërkimi i pasuksesshëm i punëtorëve tash është një realitet i ri ekonomik në Kosovë. E pyeta, si sugjerim të heshtur, nëse kanë ndonjë femër. “Jo,” tha.

Ka një anomali ekonomike në Kosovë: përderisa ka mungesë të punëtorëve, ka një numër të lartë të fuqisë punëtore joaktive.

Sipas statistikave të fundit të popullsisë ReKos 2024 të ASK-së, Kosova nuk e ka më problemin më të madh ekonomik papunësinë. Kosova ka papunësi prej rreth 13.9%, por jo në të 30-tat siç ishte 10-15 vjet më parë. Problemi që mbetet tash është që një pjesë shumë e madhe e popullsisë në moshë pune nuk merr fare pjesë në tregun e punës. Rreth 51.6% e popullsisë është joaktive, pra gjysma e njerëzve në moshë pune nuk janë as të punësuar dhe as në kërkim të punës. Për krahasim, në vendet e Bashkimit Evropian niveli i joaktivitetit është mesatarisht 24.1% e më së larti në Itali me 33.6%.

Image

Një dimension veçanërisht i rëndësishëm i këtij fenomeni në Kosovë është joaktiviteti te gratë. Rreth 65.4% e grave janë joaktive, krahasuar me rreth 37.8% të burrave. Shumë gra në të kaluarën kanë mbetur jashtë tregut të punës për shkak të kombinimit të faktorëve socialë, mungesës së shërbimeve mbështetëse si kujdesi për fëmijët, strukturës së ekonomisë dhe nivelit të përgjithshëm të lartë të papunësisë. Por shumë nga punët e hapura tash do të kishin funksionuar shumë mirë për gratë me masa të duhura.

Pasojat e një aktiviteti kaq të lartë janë të shumta dhe të thella, duke përfshirë një bazë të kufizuar tatimore, rritje ekonomike të ngadaltë dhe varësi të vazhdueshme nga remitencat, por edhe një raport të ulët sa i përket mbështetjes së skemave pensionale në të ardhmen. Adresimi i kësaj sfide duket rruga më e mirë për zhvillim ekonomik.

Joaktiviteti i gjatë krijon probleme të tjera. Këta njerëz ndoshta nuk kanë punuar asnjëherë, prandaj edhe nuk kanë zhvilluar aftësi për punë. Por shumë nga rolet në degët shërbyese të ekonomisë mund të absorbojnë lehtë punëtorët e rinj, e veçanërisht gratë.

Një problem i ndërlidhur është niveli i lartë i asaj që ekonomistët e quajnë “paga e rezervuar” — paga minimale që një individ është i gatshëm të pranojë për të hyrë në punë, duke reflektuar alternativat që personi ka jashtë tregut të punës dhe kostot e përfshirjes në të. Përderisa në shumë familje vetëm një numër i vogël anëtarësh punojnë, të ardhurat e të punësuarve duhet të mbulojnë mirëqenien e pjesës tjetër të familjes, gjë që rrit pritjet për paga më të larta dhe ngritë “pagën e rezervuar” për të papunët. Kjo pastaj ka efekt në konkurrueshmërinë e ekonomisë duke konsideruar produktivitetin mjaft të ulët të punës në Kosovë. Paga e lartë e rezervuar në kushte të produktivitetit të ulët dhe mungesës së aftësive e ngrinë status quon.

Një pjesë e madhe e potencialit njerëzor në Kosovë mbetet e pashfrytëzuar. Përveç përfitimeve ekonomike, aktivizimi në tregun e punës do të sillte socializim më të mirë dhe përmbushje personale. Por kjo kërkon ndërhyrjen e Qeverisë për zhvillimin e aftësive, ndryshimin e perceptimeve dhe krijimin e nxitjeve të nevojshme.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Design a site like this with WordPress.com
Get started